Mundësi studimi në Francë
Studentët dhe profesorët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), së shpejti mund të bëhen pjesë e programeve për shkëmbime universitare që ofrohen nga universitetet franceze. Një mundësi e tillë konkrete ofrohet nga Universite de Bretagne Sud (UBS), ku ofrohen programe të përafërta në drejtimet teknike me ato të UMIB-it.
Për këtë dhe çështje të tjera me interes për studentët dhe profesorët, u bisedua të premten ndërmjet rektorit të UMIB-it, Alush Musaj dhe Hélène Ravail, përgjegjëse për arsim dhe bashkëpunim universitar në Ambasadën e Francës në Kosovë. Ravail tha se fillimisht mendohet që studentët nga UMIB-it të bëhen pjesë e programeve të ndryshme në UBS ku ligjëratat janë në gjuhën angleze, ndërsa më vonë mund të ketë edhe studentë francez që vijnë në UMIB.
Rektori Musaj e vlerësoi interesimin e Ambasadës së Francës për shkëmbime universitare, si një mundësi tepër me interes për studentët dhe profesorët e UMIB-it. Në këtë kontekst, ai potencoi veçanërisht mundësitë që ofrohen për studentët dhe profesorët e drejtimeve teknike.
Të dy palët u dakorduan që të vazhdojnë kontaktet në mënyrë që këto mundësi të shfrytëzohen prej studentëve. Për të bërë hapa konkretë në këtë drejtim drejtuesit e UMIB-it do të vihen në kontakt me ata të UBS, për të identifikuar programet me interes për studentët.
Ndryshe rektori e njoftoi përgjegjësen për arsim dhe bashkëpunim universitar në Ambasadën e Francës në Kosovë, Hélène Ravail, për historikun e studimeve të larta në Mitrovicë, për sfidat dhe të ardhmen e UMIB-it.