“Ndaje dijen” – kënd leximi për studentë
U përurua të enjten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), projekti “Ndaje dijen” – kënd leximi për studentë, në praninë e drejtueseve dhe studentëve të UIBM. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe Dibran Hoxha nga organizata ORCA që e ka mbështetur realizimin e këtij projekti, ku përfshihen një fond librash i fushave të ndryshme, të cilat do të jenë në dispozicion të studentëve.
Studenti Rigon Qarkaj, i cili e ka bërë projektin së bashku me kolegët e tij, Fjolla Hazirin dhe Egzon Musën, tha se këndi i dijes është një mundësi më shumë për studentët e UIBM. “Jemi të lumtur që kemi gjetur mbështetje për realizimin e këtij projekti për të krijuar hapësira të tilla atraktive për studentë”, tha ai, duke e falënderuar organizatën ORCA dhe QAINT që e kanë financuar këtë projekt.
“Këndi i dijes”, është një hapësirë ngjitur me bibliotekën universitare, ku përveç ulëseve gjendet edhe një dollap me libra, të cilat janë në dispozicion të studentëve.