Picture1

Në Fakultetin Juridik u organizua tryezë diskutimi me titull: “Shëndeti mendor – parandalimi i vetëvrasjeve”!

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini”- Mitrovicë dhe Komuniteti i të Rinjëve RELOAD21 UNDP Mitrovicë organizuan Tryezë të përbashkët diskutimi me temë: “Shëndeti mendor – parandalimi i vetëvrasjeve”! – Frymo Lirshëm (Parandalimi i vetëvrasjeve).

Me një fjalë rasti hapjen e tryezës e bëri dekani i Fakultetit Juridik, Prof. assoc. Dr. Islam Qerimi, i cili në emrin e Rektores së UIBM-it, Prof. asoc. Dr. Merita Shala dhe në emrin e tij, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e kësaj tryeze e në veçanti bashkë organizatorin e kësaj tryeze Komunitetin e të Rinjve ReLOaD2 UNDP në Mitrovicë. Dekani Qerimi në vazhdim paraqiti kumtesën e tij në lidhje me temën e objektivit të organizimit të kësaj tryeze, që u trajtua nga aspekti penalo – juridik dhe kriminologjik.

Më tutje mori fjalën z. Mehmet Salihu – Udhëheqës i komunitetit të të rinjve ReLOaD2 UNDP Mitrovicë i njëherësh bashkë organizator i kësaj tryeze, i cili paraqiti të dhënat që nga fillimi i Projektit të Organizatës BONEVET & ReLOaD2 UNDP për “SHËNDETI MENDOR – PARANDALIMI I VETËVRASJEVE”! – Frymo Lirshëm (Parandalimi i vetëvrasjeve).

Komuna e Mitrovicës u përfaqësua nga nënkryetari Arian Tahiri, i cili mbështeti këtë aktivitet dhe shprehu gatishmëri për mbështetjen edhe të aktiviteteve të tjera që kanë për qëllim hulumtimet dhe studimet që ngrisin kulturën dhe vigjilencën e parandalimit të dukurive negative në shoqëri dhe përmirësimin e mirëqenies shoqërore në komunën e Mitrovicës.

Një prezantim profesional nga aspekti psikologjik e prezantoi znj. Nora Nimani, psikologe, e cila e prezantoi dukurinë e vetëvrasjeve dhe tentativës për vetëvrasje dhe shkaqeve të cilat paraqiten tek personat të cilët i takojnë kësaj kategorie të personave.

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Jugut, Afërdita Mikullovci, paraqiti një ekspoze të thelluar në lidhje me statistikat e vetëvrasjeve dhe vetëvrasjeve të ngelura në tentativë në rajonin e Mitrovicës. Ajo potencoi se prej pas luftës së fundit e deri më tani në rajonin e Mitrovicës janë vetëvrarë 200 persona dhe 443 raste të tentimvetëvrasjeve. Ndër të tjera Drejtoresha Mikullovci potencoi që Policia Rajonale e Kosovës është duke ndërmarr veprime intensive zgjeruese të bashkëpunimit edhe me institucione tjera relevante rajonale me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie në rajonin e Mitrovicës.

Profesori Mensut Ademi – ekspert i fushës së kriminologjisë dhe kriminalistikës paraqiti kumtesën e tij duke elaboruar format dhe shkaqet e paraqitjes së kësaj dukurie në një krahasim ndërkombëtar.

Një përmbledhje të punimit me këtë tematikë paraqiti në cilësinë e psikologes edhe Edona Shotani e cila është e angazhuar në çështjet psikologjike të fëmijëve në shkollat e Komunës së Vushtrrisë.

Ekspoze të parandalimit të vetëvrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje paraqiti edhe përfaqësuesi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Nebi Halili. Ai paraqiti numrin e 90 rasteve të vdekjeve natyrore në qendrat korrektuese të Kosovës deri më tani, si dhe numrin prej 24 rasteve të vetëvrasjeve. Në vazhdim ai përmendi edhe masat intensive që i ndërmarrin këto institucione për pengimin e kësaj dukurie.

Kumtesën e paraqiti edhe Ass.LL.M Xhemajl Veliqi, PhD (c) nga Fakulteti Juridik i UIBM-it, i cili nga aspekti juridik penal i konkretizoi parashenjat e kësaj dukurie dhe përmendi edhe format të cilat janë treguar të suksesshme për parandalimin e këtyre dukurive.

Kjo tryezë u përcjellë me interesim të madh edhe nga profesorët e Fakultetit Juridik, prof. ass. dr. Arbnor Ajeti, prodekan për cilësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare, si dhe Prof. ass. dr. Mimoza Aliu; studentët e Fakultetit Juridik si dhe të Fakultetit të Edukimit së bashku me dekanen Samire Bllaca – Balaj, të cilët në diskutimin e hapur shtruan shumë pyetje dhe propozuan masa të ndryshme për parandalimin e vetëvrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje; zyrtari i Avokatit të Popullit në Mitrovicën jugore, Arbër Berisha si dhe nga drejtorët e shkollave të Mitrovicës.

Në fund dekani Qerimi paraqiti konkluzionet dhe rekomandimet nga kjo tryezë si më poshtë:

– Vetëvrasjet dhe vetëvrasjet e ngelura në tentativë janë aktive edhe në rajonin e Mitrovicës;

– Vetëvrasjet në Rajonin e Mitrovicës janë tipike për gjininë mashkullore, ndërsa vetëvrasjet të cilat kanë ngelur në tentativë janë tipike për gjininë femërore;

– Mosha e kryerësve të vetëvrasjeve të cilat kanë ngelur në tentativë në Rajonin e Mitrovicës është e ndryshme që nga mosha 14 vjeç e deri në moshën 92 vjeç me një përqindje pak më të madhe në moshën 31 vjeçe;

– Shfaqja e parashenjave te kryerësit e vetëvrasjeve dhe tek ato të cilat kanë ngelur në tentativë janë të dukshme, si për shembull: blerja e mjeteve të caktuara për vetekzekutim, helmeve, blerja e helmeve, gjumi e indiferenca, etj.

– Nevoja për organizimin e tryezave dhe konferencave shkencore me këtë qëllim;

– Hartimi i strategjisë shtetërore për parandalimin e kësaj dukurie;

– Organizimi i programeve televizive javore me psikologë, me përmbajtje të pengimit të dukurive të tilla.

– Ofrimi i ndihmës dhënë njëri tjetrit në çdo nivel-grupmoshë të shoqërisë;

– Shoqërimi dhe komunikimi sa më i madh ndërmjet fëmijëve dhe nxënësve në lojëra jashtë rrjeteve sociale.