Në konkursin plotësues për të studiuar në UMIB aplikuan 563 kandidatë
Në konkursin plotësues për t’u pranuar në vitin e parë të studimeve (bachelor) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) për vitin akademik 2020/21 kanë aplikuar gjithsej 563 kandidatë. Pas mbylljes së afatit të parë nëpër njësitë akademike në UMIB kishin mbetur të lira edhe 637 vende, duke përfshirë edhe kuotat e rezervuara.
Në programet e lira në Fakultetin e Gjeoshkencave kanë aplikuar 20 kandidatë, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore 65, ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike 117 sish. Për vendet e lira në Fakultetin Juridik kanë aplikuar 147 kandidatë, në Fakultetin Ekonomik 7 dhe në Fakultetin e Edukimit 207 kandidatë.
Në të dy afatet për të studiuar në UMIB në vitin akademik 2020/21 kanë aplikuar gjithsej 1506 kandidatë. Sipas konkursit, gjithsej ishin paraparë të pranohen 1196 studentë, duke përfshirë edhe kuotat për familjet e dëshmorëve, komunitetet joshumicë dhe Luginën e Preshevës.