Në UIBM do të mbahet “Kongresi Ballkanik i Pasurimit të Mineraleve”
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), kanë nisur përgatitjet për organizimin e “Kongresit Ballkanik të Pasurimit të Mineraleve”, që planifikohet të mbahet më 28, 29, 30 dhe 31 maj 2023. Ky Kongres që do të mbahet në UIBM, organizohet nga “Balkan Academy of Science on Minerals” (BASM).
Për organizimin e këtij Kongresi, që paraqet një ngjarje të shënuar jo vetëm për UIBM, por shumë më gjerë, u bisedua të mërkurën nga rektori, prof. dr. Alush Musaj dhe profesori universitar, Shyqri Kelmendi, ekspert i njohur për miniera dhe minerale. Në takim u bisedua për obligimet e UIBM sa i përket organizimit të kësaj konference shkencore.
Rektori Musaj, e ka falënderuar profesorin Kelmendi për mbështetjen sa i përket organizimit të Kongresit dhe për gjithë kontributin e tij si ekspert i minierave dhe mineraleve. Me këtë rast, profesor Kelmendi, ia ka dhuruar rektorit libri e tij “Flotimi i xeheroreve të Pb dhe Zn”.