Në UIBM planifikohet organizimi i një seminari për edukim medial
Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të mund të ndjekin seminarin për edukim medial që planifikohet të organizohet nga OSBE – ja në fillim të vitit akademik 2022/23. Për këtë u bisedua të martën në një takim në UIBM, ndërmjet rektorit, prof.dr. Alush Musaj dhe Lekë Berishës nga Seksioni i Mediave në Departamentin e Demokratizimit në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/OSCE).
Rektori Musaj, i cili në takim shoqërohej edhe nga prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë, prof.ass.dr. Merita Shala si dhe prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala, vlerësoi se seminari për edukim medial është një mundësi shumë e mirë për studentët, por edhe për stafin akademik. Ai theksoi se UIBM do të krijojë të gjitha kushtet që ky seminar të zhvillohet sa më mirë që është e mundshme në mënyrë që edhe interesimi i studentëve të jeta sa më i madh.
Në anën tjetër, zyrtari i OSBE-së, Lekë Berisha, falënderoi drejtuesit e UIBM për gatishmërinë sa i përket bashkëpunimit dhe në këtë rast edhe organizimit të seminarit për edukim medial. Ai tha se këto seminare kane për qëllim ngritjen e aftësive të studentëve që të analizojnë, mendojnë dhe flasin në mënyre kritike për informatat që i pranojnë përmes mediave. “Përmes prezantimeve dhe aktiviteteve që stimulojnë mendimin kritik dhe kjo është e rëndësishme në mënyrë që të rinjtë të jenë të përgatitur për t’u ballafaquar me rreziqet që i sjellin lajmet e rreme, keqinformimi dhe dezinformomi”.
Për kohën e saktë të organizimit të këtij seminari do të vendoset më vonë në konsultim ndërmjet zyrtarëve të UIBM dhe OSBE-së, ku studentët dhe gjithë komuniteti universitar do të njoftohet me kohë. Planifikohet që brenda seminarit të organizohen 16 ligjërata në një periudhe 4 javore.