
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe kompanisë TRUST Real Estate SH.P.K.
Më datë 14 prill 2025, Fakulteti Ekonomik në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me kompaninë TRUST Real Estate SH.P.K. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Fakultetit Ekonomik, ku institucionin arsimor e përfaqësuan Prof. Dr. Esat Durguti, Prof. Asoc. Dr. Ajetene Avdullahi dhe Prof. Ass. Dr. Filloreta Kunoviku-Demiri, ndërsa nga ana e kompanisë TRUST Real Estate SH.P.K., ishin të pranishme znj. Blerta Rafuna-Koci, Themeluese dhe znj. Albina Istrefi, Koordinatore & Menaxhere Margetingu dhe Shitjes.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është shumëdimensional dhe synon të sjellë përfitime të ndërsjella për të dy palët. Marrëveshja parasheh organizimin e praktikave profesionale për studentët, realizimin e vizitave studimore, mbajtjen e ligjëratave nga profesionistë të fushës në formën e “Guest Speaker”, si dhe angazhimin e përfaqësuesve të kompanisë në trupat këshillues të Fakultetit Ekonomik. Përveç këtyre, marrëveshja përfshin edhe bashkëpunimin në fusha të tjera të rëndësishme, siç është hulumtimi i përbashkët ndërmjet stafit akademik dhe studentët të Fakultetit si dhe stafit profesional të TRUST Real Estate SH.P.K. Gjatë fjalimeve përshëndetëse, përfaqësuesit e të dy institucioneve theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke kontribuar në zhvillimin e një kulture bashkëkohore të bashkëpunimit institucional.