Nis ndërtimi i fushave sportive në kampusin universitar
Dy fusha të hapura sportive, njëra e ndarë për futboll dhe tenis dhe tjetra për basketboll dhe volejboll, kanë nisur të ndërtohen në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Sipas projektit, fushat sportive do të ndërtohen me asfalt dhe do të kenë të gjitha pajisjet e nevojshme.
Ky projekt do të realizohet në dy faza. Për fazën e parë që planifikohet të kryhet këtë vit janë ndarë 80 mijë euro nga kategoria e investimeve kapitale, ndërsa për fazën e dytë që do të vazhdojë në vitin tjetër do të ndahen edhe 80 mijë euro të tjera.
Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, i shoqëruar nga kryetarja e Parlamentit Studentor, Ariona Rushiti, ka përuruar fillimin e punëve për këtë projekt me çka do të krijohen hapësira sportive për studentët brenda kampusit universitar. “Me projektin për fushat sportive po rrumbullakohet kampusi universitar në Mitrovicë, për çka shprehim mirënjohjen më të sinqertë për ndihmën dhe mbështetjen nga institucionet lokale dhe qendrore”, tha ai.
Punët për ndërtimin e këtyre fushave sportive, do të kryhen nga kompania “Lin Projekt”.