FGJ

Një delegacion i FGJ-së vizitoi Universitetin e Ljubljanës në kuadër të projektit Erasmus+

Me ftesë të Universitetit të Ljubljanës, që nga data 7 prill 2025, një delegacion nga Fakulteti i Gjeoshkencave i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë po qëndron në Slloveni, në kuadër të projektit Erasmus+, si pjesë e grupit të katërt të mobilitetit akademik. Delegacioni përbëhet nga Prof. dr. Izet Zeqiri, Prof. asoc. dr. Festim Kutllovci – Dekan i Fakultetit të Gjeoshkencave, dhe dr. sc. Bastri Zeka.

Gjatë kësaj jave, ata do të realizojnë një sërë takimesh me përfaqësues të tri departamenteve relevante të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Inxhinierisë në Universitetin e Ljubljanës, me fokus në fushat e Shkencës së Materialeve dhe Metalurgjisë, Xehtarisë dhe Gjeologjisë. Qëllimi i vizitës është shkëmbimi i përvojave akademike, identifikimi i mundësive për projekte të përbashkëta kërkimore dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneriteteve ndëruniversitare dhe nxitjes së ekselencës akademike në fushat strategjike për zhvillimin e shkencës dhe industrisë.