Një delegacion i UIBM-it po qëndron për vizitë në University of Eastern Finland në kuadër të programit Erasmus+
Me mbështetjen e programit Erasmus+ dhe në kuadër të marrëveshjes për mobilitet, për trajnime dhe për mësimdhënie mes Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe University of Eastern Finland, një grup i stafit akademik të UIBM, Merita Shala, Nyrten Deva, Zahir Çerkini, Përparim Gruda, Albana Sadiku, Fatbardha Hoxha dhe Arif Krasniqi fituan mobilitetin njëjavor në University of Eastern Finland. Gjatë vizitës së tyre ata do të marrin pjesë në trajnimet e organizuara nga specialistët e fushave specifike, të cilat kanë të bëjnë me mësimdhënien dhe me procesin e tij, me përdorimin e platformave antiplagjiaturë, si dhe me ndërkombëtarizimin e Universitetit në programet bachelor dhe master.
Gjithashtu, në këtë mobilitet merr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Universitetit “Isa Boletini”, Avdyl Beqiri, i cili, përveç trajnimeve, do të zhvillojë takime të ndryshme me personat përgjegjës të administratës qendrore të University of Eastern Finland, si dhe me Ombudspersonin e UEF. Në kuadër të këtij mobiliteti do të shihen edhe mundësitë për bashkëpunime të mundshme midis dy universiteteve, si projekte të përbashkëta kërkimore, nisma akademike dhe vazhdim të programeve të shkëmbimit të studentëve dhe stafit.
Këto programe shkëmbimi synojnë të promovojnë ndërkombëtarizimin dhe diversitetin, të përmirësojnë përvojat e të nxënit të studentëve dhe t’u mundësojnë studiuesve të zgjerojnë horizontet e tyre dhe të zhvillohen profesionalisht. Vizitat e tilla do t’i forcojnë marrëdhëniet e UIBM me University of Eastern Finland, por gjithashtu do të ofrojnë mundësi për studentët dhe stafin për të bashkëpunuar në nivelin ndërkombëtar.