“OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, falënderon rektorin Musaj për mbështetje
Presidentja e “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, Hiljmnijeta Apuk, ka ndarë falënderim për rektorin e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Alush Musaj, për mbështetjen dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj personave me aftësi të kufizuara. Sipas saj, angazhimi i rektorit Musaj, për të promovuar përfshirjen e tyre në arsimin e lartë dhe shoqëri në përgjithësi, ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe i ka frymëzuar të gjithë.
Në falënderim thuhet se vizioni humanitar i rektorit ka qenë shumë i rëndësishëm për studentët me aftësi të kufizuara, për të njohur nevojën e tyre për qasje të barabartë në arsim dhe mundësi për një të ardhme të suksesshme. “Mbështetja juaj ishte thelbësore në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku studentëve me aftësi të kufizuara iu dha mundësia të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të realizojnë ëndrrat e tyre akademike”.
Rektori Musaj, tha se kushtet e krijuara për personat me aftësi të kufizuara në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), mëtohet të shërbejnë si shembull i praktikës së mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. “Në kampusin e ri universitar janë krijuar kushte të jashtëzakonshme pune, duke përfshirë edhe personat më aftësi të kufizuara”, tha ai.