Përfundoi me sukses Konferenca “Ndërtimi i kapaciteve për kërkim në FEdu: Përmbledhje e punimeve hulumtuese në kuadër të Projektit KUSA” dhe tryeza e rrumbullakët përmbyllëse e projektit në Fakultetin e Edukimit
Më 27 dhjetor 2024, Fakulteti i Edukimit i Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë organizoi me sukses konferencën shkencore “Ndërtimi i kapaciteve për kërkim në FEdu: Përmbledhje e punimeve hulumtuese në kuadër të Projektit KUSA”, e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Kosova United States Alumni (KUSA). Ky aktivitet ishte pjesë e Grantit për Mbështetjen e Universiteteve 2023/2024 dhe e projektit të titulluar “Empowering Data Analysis and Innovation at the Advanced Academic Research Center” (USGP23/24).
Gjatë konferencës, u prezantuan disa punime kërkimore nga stafi, studentet dhe alumni te Fakultetit të Edukimit te cilet kane marre pjese ne trajnimin “Metodologji e avancuar kerkimore”, duke ofruar një pasqyrë të gjerë mbi tema aktuale dhe sfidat në fushën e arsimit. Prezantimet përfshinë hulumtime të ndryshme që lidhen me stilet e menaxhimit në shkolla, performancën akademike të nxënësve, klimën shkollore, menaxhimin e klasës, dhe ndikimin e inteligjencës emocionale të mësuesve.
Gjithashtu u organizua një tryezë e rrumbullakët për të shpalosur rezultatet përfundimtare të projektit KUSA. Ky aktivitet ka përmbyllur një seri veprimtarish të realizuara gjatë implementimit të projektit, duke përfshirë trajnime/punëtori, dhe aktivitete kërkimore. Në këtë tryezë, e udhëhequr nga Ass. Arbesa Uka, Ass. Hatixhe Gashi dhe Ass. Gentiana Imeraj, janë paraqitur rezultatet dhe arritjet e projektit, duke përfshirë sukseset dhe sfidat e përballuara gjatë periudhës së implementimit. Përfundimisht, aktivitetet e realizuara në kuadër të këtij projekti kanë hapur mundësi të reja për zhvillimin e kërkimit dhe avancimin e njohurive në këtë fushë, duke ofruar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim profesional për stafin, studentët dhe komunitetin alumni të FEdu.