UIBM

Përfundon me sukses trajnimi i trajnerëve të Qendrës për Zhvillim Profesional dhe Edukim në UIBM

Nën kujdesin e veçantë të Rektorit të Universitetit Prof.dr. Alush Musaj, Prorektores për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe zhvillim të cilësisë Prof.asoc.dr. Merita Shala dhe Drejtoreshës së Qendrës për Zhvillim Profesional dhe Edukim i UIBM Prof.dr. Nurten Deva, dhe me mbështetjen nga HERAS+, në dy punëtori të veçanta, ka përfunduar trajnimi i trajnerëve të QZHPE. Trajnimi i trajnerëve si një nga aktivitetet tejet të rëndësishme në zhvillimin e kapaciteteve të kësaj qendre për Universitetin, është po ashtu edhe pjesë e Planit Strategjik të UIBM.

Trajnimi u fasilitua nga prof.dr. Naser Zabeli, i cili në trajnimin e  parë një ditor ka ofruar për diskutim dhe prezantim tema të lidhura me sfidat në arsimin e lartë dhe strategjitë e mësimdhënies në arsimin e lartë. Në fund të ditës së parë të trajnimit, trajnerët potencialë kanë përcaktuar temat për trajnimin për trajnerë, të cilat janë përgatitur dhe prezantuar nga trajnerët në trajnimin e dytë.

Trajnimi i dytë dy ditor, është karakterizuar nga prezantimi nga fasilituesi i temave të tilla si Shkathtësitë e menaxhimit të grupit dhe situatave sfiduese; Karakteristikat, cilësitë dhe shkathtësitë e trajnerit; Zhvillimi i një sesioni trajnimi; Shkathtësitë e prezantimit.

Në vazhdim, secili prej trajnerëve ka prezantuar temën përkatëse. Punëtoria është përmbyllur me një analizë të prezantimeve dhe udhëzime specifike për hartimin e moduleve përkatëse.

Temat e trajnimeve që do të ofrohen nga trajnerët e Qendrës për Zhvillim Profesional dhe Edukim përfshijnë:

  • Harmonizimi i rezultateve të nxënit të kursit/ lëndës me të priturat e programit dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.
  • Teknika ndërvepruese të mësimdhënies në arsimin e lartë 1 dhe 2
  • Shkathtësitë e komunikimit dhe prezantimit
  • Implementimi i teknikave të të mësuarit praktik
  • Metodat aktivizuese të mësimdhënies
  • Stilet e të mësuarit
  • Menaxhimi i klasës
  • Mësimdhënia përmes teknologjisë
  • Mësimdhënia hibride dhe e përzier.