
Premtohet mbështetje më e madhe për bartësit e projekteve shkencore në UIBM
Menaxhmenti i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të mbështesë bartësit e projekteve shkencore dhe ata që janë pjesë e tyre. Kështu u tha të mërkurën në një takim ndërmjet prorektorit për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Bahtir Hyseni dhe prorektores për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi me zyrtarët e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe bartësit e projekteve që janë mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe ORCA-së.
Në takim u diskutua për sfidat me të cilat përballen bartësit e projekteve dhe nevojën për mbështetje më të madhe nga njësitë akademike dhe menaxhmenti i UIBM. Gjithashtu u potencua nevoja për promovimin më të madh të këtyre projekteve që realizohen nga stafi akademik në UIBM.
Prorektorët kanë vlerësuar punën e mirë të bartësve të këtyre projekteve dhe kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje më të madhe ndaj tyre. Në këtë kontekst u përmend edhe infrastruktura ligjore që rregullon punën e projekteve shkencore.