Rektori

Prof.dr.Alush Musaj, rizgjedhet rektor i Universitetit “Isa Boletini”

Prof.dr.Alush Musaj, rizgjedhet rektor i Universitetit “Isa Boletini”

Prof.dr.Alush Musaj, është rizgjedhur rektor i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Këshilli Drejtues (KD), prej nëntë anëtarësh, ka votuar në mënyrë unanime për profesorin Musaj, i cili kishte edhe tre kundërkandidatë në garë.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, prof.dr.Ali Topalli, vlerësoi se procesi për zgjedhjen e rektorit të UMIB-it ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem. “I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, tha ai.

Ndërsa, rektori i posazgjedhur, prof.dr.Alush Musaj, falënderoi anëtarët e KD-së për besimin e dhënë për ta udhëhequr UMIB-in në mandatin e ardhshëm. “Besimi që më kanë dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”.

Ndryshe me zgjedhjen e rektorit është përmbyllur gjithë procesi zgjedhor në UMIB. Fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej janë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve dhe së fundi është konstituuar edhe përbërja e re e senatit.