Ftuu

Profesorë dhe studentë nga FTU-ja qëndruan në Universitetin Yeditepe në Turqi

Në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0: Siguria Ushqimore dhe Përmirësimi i Cilësisë dhe Parametrave Shqisor të Kafesë përmes Fermentimit”, stafi nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, përbërë nga Prof. Asoc. Fatos Rexhepi, Prof. Ass. Bahtir Hyseni dhe studentja Almira Fejza, realizoi një vizitë katërditore në Universitetin Yeditepe në Turqi. Ky projekt, i udhëhequr nga Prof. Ass. Bahtir Hyseni, është financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë dhe mbështetet nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, në bashkëpunim me Universitetin Yeditepe në Turqi dhe partnerin industrial, Prince Kafe Turke.

Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan takime të rëndësishme mes partnerëve të projektit, ku u diskutuan teknikat shkencore që do të përdoren gjatë zbatimit të projektit, si dhe afatet kohore për realizimin e tij. Një aspekt i rëndësishëm i vizitës ishte ligjërata e mbajtur nga Prof. Asoc. Fatos Rexhepi për studentët e nivelit master dhe të doktoratës në Universitetin Yeditepe, e cila u prit me interes të veçantë.

Gjithashtu, delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me infrastrukturën e avancuar të laboratorëve dhe njësive prodhuese të bioprodukteve në këtë universitet. Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm në zbatimin me sukses të planit të veprimit të projektit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e hulumtimit shkencor.