Profesoresha e Universitetit të Varshavës, Marta Witkowska mbajti ligjëratë online për studentët e Fakultetit Juridik
Me ftesë të dekanit të Fakultetit Juridik, profesorit Islam Qerimi, prof. dr hab. Marta Witkowska, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Varshavës, mbajti një ligjëratë online për studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Ligjërata titullohej: “Tandemi franko-gjerman. Sfidat e ditëve të sotme”.
Profesoreshen Witkowska fillimisht e përshëndeti rektorja e Universitetit “Isa Boletini”- Mitrovicë, prof.asoc.dr. Merita Shala. Ajo e përgëzoi profesoreshën nga Universiteti i Varshavës, për gatishmërinë e saj që ka shprehur për të mbajtur një ligjëratë për studentët e Fakultetit Juridik. Në këtë ligjëratë ishin të pranishëm edhe profesorët e Fakultetit Juridik, Besnik Murati, Arta Dauti, Arbnor Ajeti dhe Mimoza Aliu.
Kjo ligjëratë u mbajt përmes metodës interaktive e cila u realizua përmes platformës Mentimeter e cila gjendet në faqen e internetit: www.menti.com. Sipas kësaj platforme digjitale pjesëmarrësit patën mundësinë për t’ju përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta në lidhje me temën e ligjëratës. Organizimin e testimit përmes pyetjeve në menti.com, si një lloj kuizi për studentët e Fakultetit Juridik, profesoresha Witkowska e aplikoi përmes asistentit të vet.
Ligjërata u përcjellë me interes të madh nga studentët e pranishëm, të cilët përpos përgjigjeve përmes www.menti.com, shtruan edhe pyetje të tjera, që kishin të bënin me temën, e po ashtu dhe për mundësitë e studimit dhe bashkëpunimit me Universitetin e Varshavës dhe ato, në vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Në fund të këtij aktiviteti, rektorja e UIBM-it, Shala falënderoi profesoreshën e Universitetit të Varshavës, Witkowska për ligjëratën e realizuar për studentët e UIBM-it, që u vlerësua me rëndësi të madhe, sidomos për studentët e Fakultetit Juridik, si dhe kërkoi që ky bashkëpunim i filluar të avancohet edhe nëpërmes të ndonjë projekti ndërinstitucional. Profesoresha Witkowska gjithashtu, falënderoi posaçërisht rektoren për pjesëmarrje në këtë ligjëratë, profesorët si dhe studentët të cilët ishin aktivë gjatë tërë ligjëratës, si dhe dekanin e Fakultetit Juridik, Qerimi i cili e kishte iniciuar organizimin e kësaj ligjërate.