B Zeka

Profesori i FGJ-së në UIBM, Bastri Zeka, doktoron në Universitetin e Lubjanës

Profesori i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), Bastri Zeka, ka mbrojtur temën e doktoraturës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Inxhinierisë në Universitetin e Lubjanës. Tema e doktoratës që ka mbrojtur profesori Zeka fokusohet në “Zhvillimin e një materiali të ri – një përlidhje (legure) të re Alumini me Litium” dhe është udhëhequr nga mentorët prof.assoc. dr Mitja Petric dhe prof.dr. Bostjan Markoli.

Studimi përfshin zhvillime mikro dhe nanostrukturore, të realizuara me teknika moderne të hulumtimit shkencor si: STA, DSC, DTA,XRD,  analiza mikro dhe nanostrukturore me mikroskopët më të avancuar të kohës (TEM, SEM dhe LOM) dhe të vetive mekanike dhe nano mekanike NIH duke rezultuar në 12 publikime të rëndësishme në revista shkencore me faktor ndikimi dhe konferenca ndërkombëtare. Gjatë këtij rrugëtimi, ai ka pasur fatin të jete pjesë e shumë projekteve hulumtuese dhe mobiliteteve akademike me universitete të ndryshme evropiane.

Ai shprehet i lumtur që nga projekti i doktoratës së tij është krijuar një bashkëpunimin i mirë dhe i besueshëm me Universitetin e Lubjanës, Institutin e Metaleve dhe Teknologjisë. “Që nga viti 2019 kemi mundësuar dy projekte në kuadër të Eramsus + 2019-2023 dhe 2023-2026,  ku janë realizuar një numër i madh mobilitetesh për stafin dhe studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave në UIBM me ligjërata, trajnime dhe studime të ndryshme, me kohëzgjatje nga një deri në gjashtë muaj dhe deri në vitin 2026 pritet të realizohen mbi 50 mobilitete të ndryshime me stafin dhe studentet në Fakultetin e Gjeoshkencave”.

Sipas tij,  deri më tani, numri i stafit nga dy universitetet ka arritur mbi 15 lëvizje, ndërsa këtë javë, me grupin e tretë të stafit të UIBM, shkon në 20 lëvizje. “Sa i përket studentëve, janë realizuar 3 lëvizje përmes Erasmus+ dhe 1 student i doktoraturës në studime në Lubjanë, si rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm”.