Profesori i FIMK-ut, Berat Ujkani, përfaqësoi UIBM në prezantimin e platformës së mësimit online “KREN MOODLE”
Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Berat Ujkani, ka përfaqësuar Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë si panelist në prezantimin e platformës së mësimit online “KREN MOODLE”. Ai ka folur për koordinimin e mëtejshëm të KREN/ME me Ministrinë e Arsimit, Kolegjin e Arsimit / DKA dhe Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL).
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti për hulumtim, edukim si dhe përdoruesit e shërbimeve të KREN-it. Të gjitha aktivitetet që lidhen me KREN, janë pjesë e projektit KODE që implementohet nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetet nga Banka Botërore.
Qëllimi i kësaj ngjarje ishte njohja e komunitetit të edukimit dhe hulumtimit me KREN MOODLE e instaluar dhe e përshtatur për të gjitha institucionet dhe nivelet arsimore në Kosovë, shkolla fillore, të mesme të ultë, dhe Institucionet e Arsimit të Lartë. Në fund, u ndanë edhe certifikatat e trajnimit pesë javor, për 14 “Trajnerët” e përmbajtjes digjitale, të cilët morën edhe emrin si “Instructional Designers”.
Kjo ngjarje, ngritja e kapaciteteve të MOODLE dhe e-mësimit, si dhe certifikimi i “Trajnerëve” janë mbështetur nga Aksioni “Digital4Business”, i cili po e mbështet vazhdimisht KREN-in për të rritur kapacitetet e tij! “Digital4Business”, financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe zbatohet në kuadër të Qendrës për Transformim Digjital në ITP.