Ftu2

Profesori nga Universiteti Yeditepe viziton FTU në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0”

Në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0”, për tri ditë rresht, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore pati kënaqësinë të mirëpresë Prof. Emrah Nikrel nga Universiteti Yeditepe në Stamboll. Vizita e profesorit Nikrel u shënua me një agjendë të ngjeshur akademike dhe bashkëpunuese, duke përfshirë ligjërata, takime dhe shkëmbim përvojash me stafin dhe studentët.

Gjatë vizitës, Prof. Nikrel mbajti dy ligjërata me studentët e të dy niveleve të studimeve dhe stafin akademik të Fakultetit. Temat e trajtuara ishin:

  • “Using elemental balances to manage industrial fermentations: diagnostics, QC and design”
  • “Optimizing nitrogenase production at pilot scale: statistical considerations”

Ligjëratat u mirëpritën nga pjesëmarrësit, të cilët patën mundësi të mësojnë më shumë rreth qasjeve moderne në teknologjinë ushqimore dhe kërkimin shkencor në fushën e fermentimeve industriale.

Në kuadër të vizitës, Prof. Nikrel u prit edhe nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mensur Kelmendi, i cili shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e profesorit dhe theksoi gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin akademik në të ardhmen. Gjatë takimit u diskutuan edhe forma të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Projekti “Kokrrat e Kafesë 2.0” udhëhiqet nga Prof. Ass. Dr. Bahtir Hyseni dhe financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Projekti realizohet në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, në bashkëpunim me industrinë Prince Kafe Turke.