Projekt për punë praktike me pagesë për studentët e programeve teknike
Studentët e programeve teknike në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të mund të angazhohen në punë praktike me pagesë për një periudhë 6-mujrore pas diplomimit. Ky projekt do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet UMIB-it, GIZ-it dhe Zyrës së Punësimit në Mitrovicë.
Në një takim të përbashkët, zyrtarë të këtyre institucioneve, u dakorduan për detajet që kanë të bëjnë me realizimin e këtij projekti në të mirë të studentëve. Në këtë kuadër planifikohet që 100 studentë të programeve teknike të angazhohen në punë praktike me pagesë, pasi që të regjistrohen në Zyrën për Punësim.
Prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Merita Shala, falënderoi GIZ-in dhe Zyrën e Punësimit për këtë mundësi për studentët e UMIB-it. “Është një projekt shumë atraktiv për studentët tanë, të cilët i ftojmë që të shfrytëzojnë këtë mundësi duke përfituar nga puna praktike dhe duke u paguar në të njëjtën kohë”.
Në anën tjetër, Vjosa Mullatahiri nga GIZ-i dhe Besmir Salihu nga Zyra për Punësim, shprehën kënaqësinë që mund të ndihmojnë për realizimin e këtij projekti.