Alled

Projekt për standardizimin e “Shtojcës së diplomës” në universitetet publike

Me mbështetjen e “Alled 2” (Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës) ka nisur realizimi i një projekti të përbashkët nga universitetet publike në Kosovë për standardizimin e “Shtojcës së diplomës”. Një gjë e tillë tashmë është e rregulluar edhe me norma ligjore, ndërkohë që vlerësohet edhe si kriter në procesin e akreditimit të universiteteve.

Për të diskutuar për detajet e këtij projekti, rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Alush Musaj së bashku me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim Koordinatorin për Cilësi dhe Arsim të Lartë në “Alled 2”, Anton Gojanin si dhe eksperten e angazhuar, prof.dr. Ferdije Zhushi.  Projekti për standardizimin e “Shtojcës së diplomës”, u vlerësua i një rëndësie të veçantë për universitetet publike dhe për arsimin e lartë në përgjithësi në Kosovë.

Koordinatori i “Alled” 2, Anton Gojani, tha se gjatë procesit të punës për krijimin e një standardi për “Shtojcën e diplomës”, do të kalohet nëpër tre hapa: 1. Analiza e praktikave, 2. Zhvillimi i kapaciteteve dhe 3. Adaptimi i formatit për të paktën tri programe. “Ideja është që të mbështesim të gjitha universitetet për të krijuar një standard për “Shtojcën e diplomës” që ndahet krahas diplomës”, tha ai, sipas të cilit kjo planifikohet të fillojë prej vitit të ardhshëm akademik.

Rektori Musaj, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e ofruar sa i përket këtij projekti për universitetet publike. Ai theksoi se në UIBM tashmë ofrohet në mënyrë elektronike “Shtojca e diplomës”, përderisa do të punohet bashkërisht me universitetet tjera që të krijohet një standard i përbashkët.

Profesoresha Ferdije Zhushi, në cilësinë  e ekspertes, foli për rëndësinë e implementimit të “Shtojcës se diplomës”. “Ideja është që arsimi të ndërlidhet me treg të punës. Shtojca e diplomës do të jetë ndihmesë për studentët”, tha ajo.