Prorektorja Shala takoi përfaqësuesit e studentëve
Menaxhmenti i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe Parlamenti Studentor do të bashkërendojnë veprimet në të mirë të studentëve. Për këtë u dakorduan në një takim të përbashkët, prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Merita Shala dhe drejtuesit e Parlamentit Studentor.
Prorektorja Shala, përgëzoi fillimisht studentët për aktivitetet e tyre, të cilat e kanë dinamizuar jetën studentore në UMIB. Ajo shprehu mbështetje në emër të menaxhmentit për të gjitha nismat dhe aktivitetet studentore, të cilat ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së punës në universitet.
Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, falënderoi prorektoren për pritjen dhe gatishmërinë për intensifikim të bashkëpunimit. “Dua të shfrytëzoj rastin që t’ju falënderoj në emër të Parlamentit Studentor për mbështetjen që kemi nga menaxhmenti dhe drejtpërdrejtë nga rektori për aktivitetet tona”.
Në këtë kuadër, studentët shtruan nevojën që biblioteka universitare në kampusin e ri, të hapet në ora 08:00 dhe të qëndroj e hapur deri në orën 18:00. Gjithashtu ata pranuan që kanë nevojë të organizohet një trajnim për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit Universitar (SMU).