QZHK

Punëtori për rritjen dhe përmirësimin e shërbimeve nga Qendrat për Zhvillim në Karrierë

Bashkëpunimi ndërmjet Qendrave për Zhvillim në Karrierë nëpër universitetet publike në Kosovë, shihet si një mënyrë e rritjes dhe përmirësimit të shërbimeve për studentë. Kështu u vlerësua në punëtorinë: “Ngritja e kapaciteteve dhe rrjetizimi i zyrave apo qendrave për karrierë në universitete”, që u organizua nga Zyra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit “Haxhi Zeka” në  Pejë, përkrahur nga GIZ DIMAK.

Në këtë punëtori, përveç përfaqësuesve nga universitetet publike, ishin të pranishëm edhe Nexhmedin Basha dhe Rrahim Trepça nga DIMAK Kosova/GIZ, përfaqësuesja nga projekti EYE , Valbona Rraci si dhe drejtori i Zyrës për Punësim në Komunën e Pejës, Bajram Demaj. Pjesëmarrësve ju është drejtuar me një fjalë rasti, rektori i UHZ-së, prof.dr. Armand Krasniqi, i cili  tha se do të angazhohet maksimalisht për të fuqizuar edhe më shumë Zyrën për Zhvillim të Karrierës.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Zhvillim të Karrierës në UHZ, Abedin Selimaj, prezantoi idenë për një projekt afatgjatë për fuqizimin e Zyrave të Karrierës. Ai përmendi rrjetëzimin e Zyrave apo Qendrave për Karrierë në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, mandej themelimin e  shkollës verore për karrierë, mobilitetin studentor dhe digjitalizimin e shërbimeve për studentët dhe të diplomuarit etj.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe Drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Ahmet Jashari dhe Zyrtari i Lartë i Qendrës për Zhvillim në Karrierë, Alban Fazliu. Drejtori Jashari foli për të arriturat, sfidat dhe planet sa i përket  QZHK-së në UIBM, ndërsa Fazliu u fokusua në aktivitetet që ka realizuar QZHK-ja prej themelimit.