Foto

Punëtori për thellimin e bashkëpunimit mes akterëve për promovimin e punësimit

Besart Hajrizi, drejtor i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe zyrtari i Lartë i Qendrës së Karrierës në Universitetin “Isa Boletini”në Mitrovicë (UIBM), Alban Fazliu, kanë marrë pjesë të mërkurën në një punëtori për thellimin e bashkëpunimit mes akterëve për promovimin e punësimit. Pjesë e kësaj punëtorie të organizuar nga programi Migrimi për Zhvillim (PME) në kuadër të projektit GIZ/DIMAK, kane qenë edhe përfaqësues të shkollave të mesme të rajonit të Mitrovicës etj.

Pas fjalës hyrëse të konsulentit të angazhuar nga GIZ/DIMAK, Safet Gerxhaliu, i cili foli për identifikimin e përparësive dhe sfidave të punësimit dhe mundësitë për thellim e zgjerimit të bashkëpunimit mes aktereve kryesor për promovim të punësimit, folën edhe përfaqësuesit e UIBM. Drejtori i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besart Hajrizi, potencoi të arriturat e bashkëpunimit me organizata të ndryshme që kanë mundësuar ngritjen profesionale të të rinjëve në fusha të ndryshme që ndërlidhen me zhvillimin e biznesit.

Ndërsa Alban Fazliu, zyrtar i Lartë i Qendrës së Karrierës në Universitetin “Isa Boletini”në Mitrovicë (UIBM), tha se tashmë është krijuar një praktikë shumë e mirë e bashkëpunimit me biznesin, organizata dhe insitucione vendore e ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai përmendi aktivitete të ndryshme prej të cilave kanë përfituar të rinjtë dhe studentët për sa i përket rritjes së mundësive për punësim.