Rek…

Katër universitete publike presin miratimin e statuteve nga Kuvendi i Kosovës

Forma e mbajtjes së procesit mësimor, miratimi i statuteve të përhershme  dhe bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar të martën në kuadër të Konferencës së Rektorëve që u mbajt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj. Me këtë rast, ata uruan rektorin e ri të UP-së, Naser Sahiti, për detyrën e re.

Sa i përket organizimit të mësimit nëpër universitete publike, pati pajtim që mësimi të zhvillohet nëpër salla, përveç në rastet kur detyrohen të organizojnë mësimin online. Rektorët u pajtuan që ligjëratat për vitet e para në universitetet publike të fillojnë më 15 tetor.

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, njëherësh kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, Bajram Kosumi, tha se çështja më e rëndësishme për ta këto kohë është mënyra e mbajtjes së procesit mësimor. Përkundër që është vendosur që mësimi të mbahet i kombinuar, ai tha se janë duke e diskutuar që mësimi të mbahet në klasa dhe jo online.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, vuri në pah rëndësinë e miratimit të statuteve të përhershme të katër universiteteve nga Kuvendi i Kosovës. “Statutet e përkohshme janë shndërruar në pengesë për zhvillimin e këtyre universiteteve, prandaj presim që ato të miratohen nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.