Rome

Rektorët e universiteteve publike vizituan Ambasadën e Kosovës në Itali

Gjatë qëndrimit disa ditor në Itali, me rastin e vizitës studimore “Përmirësimi i Kulturës Hulumtuese në Arsimin e Lartë në Kosovë”, ERASMUS +, që po zhvillohet në Universitetin Sapienza në Romë, rekori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj dhe rektorët e universiteteve tjera publike të Kosovës, qëndruan edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Romë. Ata u pritën në takim nga ambasadorja, Lendita Haxhitasimi, e cila i falënderoi të gjithë rektorët për vizitën dhe u siguroi atyre mbështetje për të bashkëpunuar me universitetet italiane.

Ndryshe rektori Musaj, gjatë vizitës studimore në Itali shoqërohet edhe nga prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hulumtim, prof.dr. Behxhet Shala, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof.dr. Besim Gollopeni dhe prof.dr. Faton Merovci. Pjesëmarrës në këtë vizitë studimore, financuar nga Bashkimi Evropian, janë përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë vendor dhe ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga Kosova.

Gjatë vizitës pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndajnë praktikat e tyre më të mira në lidhje me procesin e kërkimit brenda institucioneve të tyre, si dhe të diskutojnë për zhvillimin e projektit ResearchCult.