Mensa

Rektori Musaj, inspekton punimet për ndërtimin e mensës dhe konviktit

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Xhelal Smakiqi dhe drejtori për Buxhet e Financa, Besim Kurti, kanë  vizituar të premten punishten ku janë duke u ndërtuar mensa dhe konvikti për studentë. Në takim me përgjegjësit e kompanisë punëkryerëse janë njoftuar për ecurinë sa i përket këtyre dy objekteve që janë në përfundim e sipër.

Rektori Musaj, theksoi se me ndërtimin e këtyre dy objekteve pritet të komplektohet kampusi universtar, duke krijuar kushte të jashtëzakonshme për studentët. “Jemi shumë të kënaqur që për vitin tjetër akademik do të kemi në dispozicion për studentë mensën dhe konviktin”, tha ai.

Sipas përgjegjësve të kompanisë punëkyerëse, mensa pritet të jetë e gatshme deri në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa konvikti deri në tetor. Ata thanë se punët janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë dhe pritet që gjithçka të finalizohet sipas planit.

Mensa do të ketë 2.920 metra katrorë, ndërsa konvikti 7.896 metra katrorë.