Rektori Musaj, mori pjesë në ceremoninë e pritjes për studentët e vitit të parë
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Alush Musaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për pritjen e studentëve të vitit të parë. Studentët që janë regjistruar në vitin akademik 2020/21 janë pritur në grupe sipas fakulteteve gjatë gjithë ditës, në Amfiteatrin e Madh, ku kanë qenë të pranishëm edhe dekanët dhe drejtuesit e Këshillave të Studentëve.
Rektori Musaj, ju uroi suksese të gjithë studentëve që janë bërë pjesë e UMIB-it. “Ky është një moment i rëndësishëm për të ardhmen tuaj, është moment kur filloni një udhëtim të ri që patjetër se do të transformojë jetën e tyre”.
Sipas tij, UMIB-i përveç përgatitjes për një profesion specifik, do t’i përgatis ata edhe me shkathtësi dhe vlera për tregun e punës. “UMIB-i ju ofron të gjitha kapacitet profesionale dhe shkencore përmes angazhimit të stafit akademik, ofron për ju kampusin më të mirë universitar në vend”, theksoi Musaj.
Në vitin akademik 2020/21 në UMIB në afatin e parë kanë aplikuar 987 kandidatë, ndërsa janë pranuar 558 sish. Së shpejti pritet të hapet edhe afati i dytë për vendet që nuk janë plotësuar.
Studentët e viteve tjera kanë nisur ligjëratat me 1 tetor dhe gjithçka ka shkuar mirë, përkundër rrethanave. Hapësira e mjaftueshme në UMIB ka mundësuar që ligjëratat të zhvillohen në objekte, duke respektuar kushtet për mbrojtje nga Covid-19.