Herasi

Rektori Musaj mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga Heras-i

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj, në cilësinë e kryesuesit të Konferencës së Rektorëve, ka marrë pjesë të mërkurën në punëtorinë “Të drejtat e njeriut dhe dimensioni social në arsimin e lartë të procesit të Bolonjës”, të organizuar nga Herasi. Pjesë e panelit në këtë punëtori që u mbajt në Prishtinë ishin edhe: Edona Maloku Berdyna, zëvendësministre e MASHTI-it, Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë,  Veronika Nitschenga nga WUS Austria etj.

Rektori Musaj, në fjalën e tij theksoi se legjislacioni dhe politikat shtetërore në përgjithësi kanë ndjekur një trajektore neoliberale, duke e zhvendosur perceptimin e arsimit të lartë nga të qenit një e mirë publike në një mall të aftë për t’u blerë dhe për t’u shitur. Ky model është kritikuar, veçanërisht sepse në përgjithësi përforcon pabarazinë sociale. Në të njëjtën kohë, arritja e arsimit të lartë është bërë më e rëndësishme se kurrë më parë. Arsimi i lartë, konsiderohet si një parakusht për zhvillim të kompetencave të kërkuara të përshtatura me nevojat e tregut të punës, si rrjedhim punësim  dhe ata që kanë arsimin e lartë gëzojnë rrethana të përmirësuara të jetës”, tha ai.

Sipas tij, zhvillimi njerëzor në vetvete është një paradigmë që nxit mjedisin e duhur për individët  që të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë dhe të bëjnë jetë produktive dhe krijuese. Arsimi i lartë, është një prej ambienteve më të pasura e të më se  të përshtatshme ku individët e rinj vazhdojnë formësimin e tyre si individë produktivë dhe shpërthejnë me potencialet që kanë”.

Ai tha se universitetet dhe kolegjet janë institucione me ndikim dhe fuqi të konsiderueshme në komunitetet e tyre, kombëtare dhe botërore, dhe kështu luajnë një rol jetësor në sigurimin e respektimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut. “Në këtë kuadër,  normat e të drejtave të njeriut duhet të udhëheqin arsimin e lartë”, theksoi Musaj.