Gjakova

Rektori Musaj, mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokausitit, që u mbajt të enjten në Universitetn “Fehmi Agani” në Gjakovë. Ky manifestim tradicional, këtë vit ju kushtua albanologut austriak – hebre Norbert Jokl, e organizuar nga Kosovo Jewish Organization (KJO) dhe nga Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Të pranishmëve me një fjalë rasti ju ka drejtuar, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, i cili tha se kjo ngjarje është e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja. Ai potencoi rolin e rëndësishëm të shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të institucioneve lokale në Gjakovë, përfaqësues të bashkësive fetare, studiues, profesorë dhe studentë. Ndërsa, ambasadori izraelit në Maqedoni, Dan Oryan, përmes një video mesazhi ka përshëndetur dhe falënderuar për organizimin, duke shpjeguar rolin, rëndësinë dhe vlerat e përkujtimit të Holokaustit.

Pjesëmarrësit dëgjuan kumtesat për albanologun austriak – hebre Norbert Jokl, të prof. dr. Anton N. Berisha nga Universiteti i Kalabrisë dhe të prof. dr. Skender Asani nga Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi. Ngjarja u përcoll me performancë orkestrale nën dirigjimin e Prof. Kastriot Sada.