Fotoja

Rektori Musaj, nënshkroi deklaratën  për rritje të pjesëmarrjes në Programin Erasmus +

Rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), Alush Musaj, ka nënshkruar të premten një deklaratë të përbashkët me drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për rritjen e pjesëmarrjes në Programin Erasmus+. Takimi për nënshkrimin e kësaj deklarate që u mbajt në Universitetin e Prishtinës, është organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Zyrës së Erasmus+ në Kosovë.

Rektori Musaj, tha se UMIB-i tashmë është pjesë e projekteve të ndryshme që janë realizuar në kuadër të Erasmus+ dhe ka krijuar një përvojë të mirë në këtë drejtim. “Projektet e Erasmus+ në kuadër të të cilave është përfshirë Universiteti ynë kanë qenë mjaft të suksesshme, prandaj ne shprehim gatishmërinë tonë të plotë për rritjen e pjesëmarrjes në këtë program”, tha ai.

Ndryshe në deklaratën e nënshkruar, drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë zotohen për rritjen e numrit të marrëveshjeve për shkëmbim të studentëve, stafit akademik dhe administrative. Poashtu ata shprehin gatishmërinë e tyre për rritjen e numrit të aplikacioneve për projekte për ngritjen e kapaciteteve me partnerë nga Bashkimi Evropian dhe rajoni.

Ata gjithashtu janë të bindur se shfrytëzimi i mundësive të ofruara nga Programi Erasmus+ kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë, ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimit të vlerave akademike dhe sociale.