Riza Haziri

Rektori Musaj, ngushëllon familjen dhe miqtë e të ndjerit, prof.Riza Haziri

Të nderuar familjarë të të ndjerit, Riza Haziri

Të nderuar miq dhe kolegë të të ndjerit

Pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emër timin personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, mikut dhe kolegut tonë, Riza Haziri. Jeta dhe vepra e tij në shërbim të gjeneratave të reja si profesor dhe drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, në shërbim të atdheut si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shërbim të qytetarëve si nënkryetar i Komunës së Mitrovicës dhe së fundi edhe pjesë e administratës së Universitetit tonë, janë ngushëllimi më i mirë për ju dhe për të gjithë miqtë e tij.

Ndershmëria dhe urtësia që e kanë përcjellur vazhdimisht, e kanë bërë të dashur dhe të afërt me nxënës, me qytetarë dhe me lexuesit e poezisë së tij gjithandej. Edhe betejën e tij të fundit e nisi dhe e përfundoi me poezi, duke shpërfaqur një karakter human dhe  të paepur.

Mitrovica gjithsesi është shumë më e varfër pa profesorin Riza. La emër të mirë kudo që ishte, duke e nderuar veten e tij, familjen dhe qytetin tonë. U shqua për ndershmëri kudo që punoi, duke dhënë shembull të jashtëzakonshëm të një njeriu me karakter të fortë, të një atdhetari, poeti dhe një miku të rrallë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për familjarin tuaj dhe mikun tonë, Riza Haziri!

Lavdi jetës dhe veprës së tij!

 

Me respekt

Rektori

Prof. dr. Alush Musaj