Takimi

Rektori Musaj, ofron bashkëpunim për organizatën “Drejtësi për të gjithë”

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) do të bashkëpunoj ngushtë me organizatën “Drejtësi për të gjithë”, që mbron të drejtat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë janë pajtuar rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj dhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Drejtësi për të gjithë”, Nafi Krasniqi.

Gjatë vizitës në UMIB, Krasniqi e ka njoftuar rektorin Musaj me aktivitetet e organizatës që ai drejton. Në këtë kontekst, ka folur edhe për nevojën e e bashkëpunimit me universitetet në mënyrë që të organizohen aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me luftimin e stigmës për këtë kategori.

Ai theksoi se në kuadër të universiteve publike, por edhe kolegjeve private mund të organizohen seminare që kanë të bëjnë me luftimin e stigmës për të mbijetuarat e dhunës seksuale. “Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj kategorie, universitetet do të mund të bënin punë të mirë për senzibilimin e shoqërisë”, tha ai.

Rektori Musaj, e ka vlerësuar punën e kësaj organizate dhe ka ofruar mbështetje të plotë. “Jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë dhe të ofrojmë krejt mundësitë tona që të ndihmojmë këtë kategori”, tha ai.