Rektori Musaj ofron mbështetje për Parlamentin Studentor
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka pritur në takim drejtuesit e Parlamentit Studentor, pas përfundimit të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet dhe konstituimit të organeve të reja drejtuese. Rektori i ka uruar drejtuesit e rinj të Parlamentit Studentor dhe ka ofruar mbështetje për aktivitetet e tyre.
Ai theksoi se në Universitetin “Isa Boletini”, është krijuar një traditë jashtëzakonisht e mirë e bashkëpunimit ndërmjet menaxhmentit dhe përfaqësuesve të studentëve. “Ne çmojmë punën dhe përkushtimin tuaj si përfaqësues të studentëve dhe do të mbështesim çdo aktivitet dhe angazhim në të mirë të studentëve dhe Universitetit në përgjithësi”.
Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, e uroi rektorin për mandatin e dytë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë. Ai tha se studentët janë pjesë e të gjithë mekanizmave ku merren vendimet në Universitet që është një faktor shumë i rëndësishëm”.