Rektori Musaj, pjesë e seminarit “Erasmus+ me Ballkanin Perëndimor”
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, po merr pjesë në seminarin “Erasmus+ me Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Komisioni Evropian dhe që po mbahet në Tiranë. Qëllimi kryesor i seminarit është të shkëmbejë përvoja në fushën e ndërkombëtarizimit dhe të ndërtojë marrëveshje të reja partneriteti midis universiteteve.
Rektori Musaj, tha se në seminar po marrin pjesë rreth 200 përfaqësues nga institucionet e arsimit të lartë (IAL) nga të 34 vende që janë pjesë e programit “Erasmus+” si dhe nga vendet partnere të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova). ”Qëllimi është të rritet numri i aplikimeve të rajonit në thirrjen tjetër për propozime nga “Erasmus+”, duke ofruar mundësi konkrete për rrjetëzim”.
Sipas tij, ngjarja do të përfshijë të gjitha veprimet ndërkombëtare të “Erasmus +”, me një fokus të veçantë në Lëvizjen e Kredisë Ndërkombëtare dhe Ndërtimin e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë. Ndryshe, si në edicionet e mëparshme, ngjarja do të përfshijë seanca të rrjeteve dhe një seri seminaresh që adresojnë ndër të tjera njohjen, format e aplikimit, përzgjedhjen dhe mbështetjen për pjesëmarrësit etj.