Rektori Musaj pret në takim përfaqësuesen e OJQ-së “Little People of Kosova”
Në “Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara”, rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Alush Musaj, priti në takim përfaqësuesen e Organizatës Joqeveritare “Little People of Kosova” z. Hiljmnijeta Apuk, laureate e çmimit prestigjoz të Kombeve të Bashkuara në fushën e të drejtave të njeriut.
Rektori Musaj, shpjegoi standardet që kampusi universitar i UMIB-it i plotëson në lehtësimin e qasjes së personave me aftësi të kufizuara. Në kampusin e ri universitar nuk ka barriera për personat me aftësi të kufizuara, ekzistojnë platforma të veçanta për karroca, platforma në amfiteatrot e fakulteteve dhe rektoratit, tualete të posaçme, ashensorë dhe parking i rezervuar.
Të dy palët u pajtuan që Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” me kampusin e ri universitar është ndër të paktat universitete në Kosovë që plotëson kushtet për persona me aftësi të kufizuara.
Rektori Musaj u shpreh që në të ardhmen e afërt, konvikti për studentë që është në ndërtim e sipër do të ketë dhoma që i plotësojnë të gjitha kushtet për banim për studentët me nevoja të veçanta.