Rektori Musaj, priti në takim drejtuesit e projektit HERAS Plus
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka pritur të mërkurën në takim drejtuesit e projektit HERAS Plus, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të këtij projekti. Udhëheqësi i projektit, Aqim Emurli, i cili shoqërohej edhe nga Nehat Dervishi, koordinator për arsim të lartë dhe Donjeta Ibra, menaxhere e zyrës, bëri të ditur se tashmë është konfirmuar vazhdimi i projektit HERAS edhe për tre vite të tjera.
Rektori Musaj, i ka falënderuar bartësit e këtij projekti për mbështetjen e ofruar gjatë viteve të kaluara për UMIB-in. “Jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi gjetur prej jush në kuadër të projektit HERAS dhe jemi të bindur se bashkëpunimi do të vazhdoj me intensitetet edhe më të madh në vitet e ardhshme”.
Në anën tjetër, Emurli, tha se tash e tutje bashkëpunimi përveç segmentit qendror, do të jetë edhe universitar dhe në fushën e kërkimeve shkencore. “Sa i përket fushës së kërkimeve shkencore, fokusi do të vihet në aspektin e gjenerimit të të ardhurave më shumë se në atë akademik”.
Ai tha se lajmi i mirë është fakti se do të ketë fonde për universitetet veç e veç. Megjithatë, sipas tij, këto fonde do të shfrytëzohen në bazë të proaktivitetit të universiteteve.