Rektori Musaj: Profesorët të bashkëpunojnë me studentët për respektimin e masave mbrojtëse nga COVID-19
Të nderuar kolegë profesorë dhe asistentë,
Pandemia COVID-19 është duke pasur një ndikim të madh në të gjithë botën, rrjedhimisht edhe tek ne. Në këto dy javë në vazhdim, përcaktimi i situatës si me të vërtetë serioze, na vendos para obligimit për të vepruar edhe ne.
Në harmoni me misionin që kemi zgjedhur të kemi si profesion, ne mund dhe duhet të ofrojmë kontributin tonë social për të lehtësuar kapërcimin sa me lehte te kësaj gjendje.
Si mësimdhënës, ne e kuptojmë se mënyra më e mirë për të ndihmuar tani është të jemi aty për studentët tanë dhe familjarët e tyre, të ofrojmë sa më shumë këshilla, praktika të sigurta, të dëgjojmë studentët tanë dhe të jemi së bashku në kapërcimin e kësaj situate.
Kushtojini 5-10 minutat e para të çdo ligjërate ofrimit të informacioneve të sigurta, kërkoni që studentët të ndajnë me njëri-tjetrin udhëzime ose thjesht dëgjojini ata, motivojini që të vendosin prioritete në këto ditë sfiduese ku ruajtja e shëndetit për ta dhe familjarët e tyre dhe respektimi i udhëzimeve dhe vendimeve nga organet kompetente, duhet te jenë prioritet.
Shfrytëzimi i kohës duke studiuar, e kthen këtë kohë në kohë cilësore. Ju lutemi, kushtojini më tepër kohë studentëve në takimet tuaja online dhe organizoni edhe biseda online për çështje me interes për ta.
Shprehim bindjen se së bashku si komunitet dhe shoqëri do t’ia dalim edhe kësaj sfide.
Me respekt,
Prof.dr.Alush Musaj
Rektor