Rektori Musaj, shpreh ngushëllime për vdekjen e prof.dr. Shyqri Kelmendit
Lajmi për vdekjen e profesorit universitar, prof. dr. Shyqri Kelmendi, një personaliteti të shquar mitrovicas, na pikëlloi të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të. Me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët e të ndjerit, në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).
Vdekja e tij nuk është humbje vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, meqë ai ka qenë një emër i përveçëm si njeri dhe si ekspert i xehetarisë. Profesori i ndjerë përveç pozitave drejtuese në kombinatin “Trepça”, në “Ferronikel” si dhe në institucione lokale e qendror, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si mësimdhënës në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë.
Prof. dr. Shyqri Kelmendi la pas vetes një veprimtari të begatë shkencore, si autor dhe bashkautor i shumë teksteve universitare, mbi 30 punimeve shkencore dhe profesionale të publikuara dhe rreth 20 projekteve te ndryshme. Gjithashtu ai ishte anëtar i disa forumeve dhe organeve profesionale ndërkombëtare; Anëtar i Këshillit Organizativ të Kongresit Botëror të Xehetarisë dhe anëtar i Grupit Profesional për Automatizimin e Proceseve të Flotacionit, pranë SEV-it etj.
Puna e tij shkencore dhe profesionale, do ta mbajë të gjallë profesorin Kelmendi, në mesin e studentëve dhe stafit akademik, nëpërmjet teksteve shkencore dhe studimeve që ai ka lënë. Emri i tij i mirë si njeri, familjar e mik, do ta mbaj të gjallë në shoqërinë tonë, në mesin e familjarëve dhe miqve. Mitrovica do të jetë përherë krenare me një personalitet të jashtëzakonshëm sikur që ishte profesori, Shyqri Kelmendi.
U prehtë në paqen e përjetshme!
Me respekt
Rektori
Prof.dr. Alush Musaj