
Rektorja Deva ndan mirënjohje për prof.dr. Heinrich Oettel
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Nurten Deva, ka nderuar me mirënjohje profesorin nga Gjermania, prof.dr. Heinrich Oettel, për mbështetjen e tij të madhe që kanë dhënë për institucionet e arsimit të lartë në Mitrovicë. Ajo ka falënderuar profesorin për gjithçka që ka bërë për studentët mitrovicas gjatë periudhave të vështira në Kosovë si dhe për institucionet e arsimit të lartë që kanë funksionuar në Mitrovicë para dhe pas luftës së vitit 1998/99.
Në takim ku ishin të pranishëm edhe prorektorët e UIBM, prof. Oettel shoqërohej nga ish-studenti i tij, tani prof.dr. Hamit Mehmeti. Ai falënderoi rektoren Deva dhe të gjithë profesorët për mikpritjen dhe mirënjohjen e treguar ndaj tij.
Rektorja gjithashtu ka nderuar me mirënjohje edhe prof.dr. Hamit Mehmeti, për kontributin e tij në zhvillimin e jetës akademike në Mitrovicë. Pas takimit, prof. Oettel, shoqëruar nga rektorja, prorektorët dhe disa profesorë kanë vizituar kampusin universitar dhe disa laboratorë në Fakultetin e Gjeoshkencave.