Sher

Rektorja Deva priti në takim drejtuesit e SHER-it

Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Nurten Deva, ka pritur të hënën në takim drejtuesit e Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (SHER), me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit. Me theks të veçantë u potencua mbështetja e nevojshme sa i përket rishikimit të statutit të universitetit.

Rektorja Deva, e cila shoqërohej nga prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi, ka falënderuar drejtuesit e SHER-it për mbështetjen e deritanishme për UIBM. Ajo theksoi se janë shumë procese përpara për të cilat UIBM ka nevojë për mbështetje dhe bashkëpunimi me SHER është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ndërsa, drejtuesit e SHER-it, Aqim Emurli, udhëheqës, Donjeta Ibra, Menaxhere e zyrës dhe Nehat Dervishi, koordinator tematik, kanë prezantuar vizionin për rishikimin e statutit të universitetit. Në këtë kontekst, ata potencuan se ideja është që të krijohen lehtësira më të mëdha për universitet, si gjenerimi i të ardhurave, kontraktimi me biznese etj.