Kolazh

Riakreditohen të gjitha programet e studimit në UIBM që kanë qenë në proces

Të gjitha programet e  Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM),  që sivjet ju kanë nënshtruar procesit janë riakredituar në një periudhë 3 – vjeçare.  Kjo është vendosur nga  Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), në mbledhjen e 101-të, të mbajtur më 30.06.2022, që ka shqyrtuar dhe aprovuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit për programet e UIBM-së.

Kanë qenë gjithsej 7 programe nga UIBM që këtë vit kanë kaluar nëpër procesin e riakreditimit: Biznes dhe Menaxhment (Bsc), Xehetari (Bsc), Teknologji (Bsc), Vendburimet Minerale (Msc), Xehetari (Msc), Teknologji dhe Inxhinieri (Msc) dhe Teknologji Ushqimore (Bsc). Prej tyre 4 programe kanë qenë në nivelin bachelor dhe 3 në atë master.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, ka shprehur kënaqësinë e tij për suksesin e arritur sa i përket procesit të riakreditimit të programeve. “Dua të përgëzoj stafin menaxhues, mësimdhënësit, administratën, studentët dhe të gjithë që kanë qenë pjesë dhe kanë ndihmuar këtë proces”, tha ai.

Për vitin akademik 2022/23 UMIB ofron gjithsej 23 programe të akredituara në 6 fakultete.