Senati mori vendim që akademik Minir Dushit t’i ndahet titulli: “Doctor Honoris Causa”
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Senatit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), mbajtur më 28 shkurt 2023, u miratua propozimi i rektorit, prof.dr. Alush Musaj, që akademik Minir Dushit t’i ndahet titulli: “Doctor Honoris Causa”. Ky titull akademik Dushit do t’i ndahet në një ceremoni solemne më 6 mars 2023, me rastin e 10-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Rektori Musaj, theksoi se akademik Dushi është një personalitet i veçantë që ndërlidhet me jetën akademike në qytetin e minatorëve. “Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për themelimin dhe ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë, duke qenë edhe drejtori i parë i Shkollës së Lartë Teknike si dhe dekani i parë i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë”.
Sipas tij, ndarja e këtij titulli është nder për UIBM dhe qytetin e Mitrovicës, ku akademik Dushi ka jetuar dhe kontribuar për një kohë të gjatë duke qenë edhe pjesë e ndërmarrjes “Trepça”. Ai gjithashtu ka numëruar edhe punën e akademikut si mësimdhënës, punimet e shumta shkencore etj.
Titulli “Doctor Honoris Causa”, akademik Minir Dushit do t’i ndahet me motivacion: “Për kontribut në themelimin dhe ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë si dhe zhvillimin e jetës akademike në Kosovë”.