Sesioni

Sesion informues për mundësitë që ofron Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve

Prorektorë, dekanë dhe zyrtarë të tjerë nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) kanë marrë pjesë të premten në një sesion informues për mundësitë që ofron për universitetet “Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve”. Për mundësitë që ofrohen në kuadër të këtij rrjeti ka folur, Ismet Mulaj nga “Prishtina REA”, organizatë kjo që ka bashkëpunim të ngushtë me UMIB-in.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala, ka falënderuar drejtuesit e “Prishtina REA” për këtë organizim. Ai theksoi se UMIB-i është i gatshëm për të qenë pjesë e projekteve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar, avancimin profesional dhe kërkimet shkencore.

Ndërsa, z.Mulaj nga “Prishtina REA”, ka potencuar tri fusha të rëndësishme zhvillimi për UMIB-in në kuadër të Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve. Në këtë kontekst, ai ka përmendur shërbimet e mbështetjes së bizneseve, përmirësimin e konkurrencës dhe qasjen në tregje për ndërmarrjet e BE-së.

Ndryshe, bashkëpunimi ndërmjet UMIB-i dhe “Prishtina REA”, konsiston në zhvillimin e arsimit, aftësimit profesional dhe punës praktike.