TIKA

Shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UIBM dhe TIKA-së

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)  dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit në projekte të ndryshme që ndërlidhen me përmirësimin e kushteve për komunitetin universitar. Për këtë u bisedua të hënën ndërmjet shefit të Zyrës TIKA në Kosovë, Cihan Dinçer dhe rektorit të UIMB, prof.dr. Alush Musaj.

Rektori Musaj e falënderoi shefin e TIKA-së për vizitën dhe mundësinë e bashkëpunimit. “Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj dhe presim  që bashkërisht të identifikojmë projektet që mund të mbështeten nga TIKA”, tha ai.

Shefi i TIKA-së, Cihan Dinçer, theksoi se fillimisht do të përgatiten për të nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, për t’i hapur rrugë  realizimit të projekteve konkrete. “Jemi të mahnitur nga kampusi universitar në Mitrovicë. Shpresojmë shumë të mund të ndihmojmë për rritjen e bashkëpunimit me universitetet në Turqi, duke ofruar mundësi për studentët dhe stafin tuaj akademik”, tha ai.