Shqyrtohen mundësitë që ofrohen për studentët dhe stafin akademik nga një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës Amerikane dhe MASHTI-it
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) synon të përfitoj nga programi Fulbright, në kuadër të një Memorandumi Bashkëpunim ndërmjet Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Për të biseduar për mundësitë që ofrohen për universitetet nga kjo marrëveshje, të premten qëndruan në UIBM Qamile Sinanaj, udhëheqëse në Divizionin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në MASHTI dhe Remzije Potoku, specialiste për Edukimin e Lartë në Ambasadën Amerikane.
Ato u pritën në takim nga prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala dhe prorektorja për Buxhet dhe Financa, Ajtene Avdullahi, të cilët shprehën interesimin për mundësitë që ofrohen nëpërmjet kësaj marrëveshje për studentët dhe stafin akademik në UIBM. Marrëveshja synohet të nxit bashkëpunimin e institucioneve arsimore, shkencore dhe kërkimore në të dyja shtetet, inkurajon përmirësimin e kualifikimeve të profesionistëve akademikë, studiuesve, mësimdhënësve dhe studentëve si dhe promovon projekte kërkimore të përbashkëta.