2,,,

Stafi i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore përfundon mobilitetin në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Savonia

Në kuadër të projektit DualAFS, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Savonia, në Finlandë priti MSc. Shpend Doli (staf-laborant nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë), prej 30 shtator deri më 22 dhjetor 2023 dhe Prof.ass.dr. Mirsade Osmani (staf akademik nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë), nga 28 tetor deri më 9 nëntor 2023). MSc. Shpend Doli gjatë qëndrimit të tij u trajnua në laboratorin e ujit në Kuopio, duke zhvilluar aktivitetet e tij kërkimore përkatëse. Ai avancoi aftësitë e tij laboratorike në lidhje me anionet, kationet dhe matjen e metaleve të rënda në ujë. Gjatë këtij mobiliteti, ai punoi ngushtë me stafin e përfshirë në projektet e hulumtimit të dherave të tokës.

Prof.ass.dr. Osmani gjatë qëndrimit të saj si pjesë e aktiviteteve për qëllime studimore vizitoi objektet në Iislami dhe laboratorët në Kuopio dhe u informua për aktivitetet dhe punën e zhvilluar në laboratorët e këtij kampusi, si dhe specifikat që ata përdorin për praktikat më të mira në metodat e mësimdhënies, bazuar në punën praktike. Ajo gjithashtu u njoh me bashkëpunimin e brendshëm dhe pati takime me Grupin Kërkimor për Dizajnimin e Ushqimeve dhe u njoh me punën dhe aktivitetet kërkimore që kryen ky grup. Ata takuan gjithashtu partnerët e Universitetit pritës. Prof.ass.dr. Mirsade Osmani dhe MSc. Shpend Doli vizituan Kolegjin Profesional Ylӓ–Savo, ku u informuan për praktikat e studentëve në disa departamente të ëmbëlsirave, të produkteve ushqimore, makinerive prodhuese dhe blegtorisë, si dhe në laboratorin e mikrobiologjisë. Gjithashtu, në departamentin e produkteve ushqimore, ata patën nderin të gatuajnë ushqime tradicionale finlandeze.

Prof.ass.dr. Mirsade Osmani vizitoi edhe Spitalin Universitar, ku pati një takim me përfaqësuesin e kompanisë së qumështit Valio, një nga më të mëdhatë në vend, dhe u njoh me traditën e tyre prodhuese, produktet e tyre unike dhe tregun e tyre ndërkombëtar.

Gjithashtu, ajo pati kënaqësinë dhe privilegjin të prezantojë Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, përkatësisht Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore para studentëve dhe stafit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara Savonia. Prezantimi ngjalli edhe më shumë kuriozitet për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në mes të dy Universiteteve në të ardhmen. Më pas u diskutua për vazhdimin e mundësive të reja për bashkëpunim për shkëmbimin e studentëve dhe stafit, përmes projekteve të Erasmus+ me programin ICM.

1,,,,