Studentë nga Tirana, Tetova dhe Prishtina vizituan UIBM në kuadër të “Shkollës verore”
Studentë dhe profesorë nga Kolegji AAB, Universiteti Metropolitan i Tiranës dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, kanë qëndruar të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), në kuadër të Shkollës verore me temë: “Jeta sociale studentore”. Mysafirët janë pritur nga dekani i Fakultetit të Edukimit, Besim Gollopeni, i cili i ka njoftuar me hapësirat, kushtet dhe historinë e UIBM.
Gjithashtu para të pranishmëve është shfaqur edhe një film dokumentar për UIBM, për të krijuar një pasqyrë për të kaluarën dhe të tashmen e jetës akademike në Mitrovicë. Dekani Gollopeni, tha se tradita akademike në Mitrovicë, ku sivjet shënohet 60 – vjetori i Shkollës së Lartë Teknike (SHLT), ka bërë që UIBM të konsolidohet shpejtë dhe të jetë një institucion më të ardhme të sigurt.
Pas UIBM, mysafirët nga Tirana, Tetova dhe Prishtina, kanë vizituar Muzeun e Kristaleve të Trepçës në Stan Tërg.