Studentë të “Luiss University” nga Roma vizituan Universitetin e Mitrovicës
Një grup i studentëve të “Luiss University” nga Roma kanë vizituar të premten Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Ata janë pritur nga prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina, i cili i ka njoftuar për historikun e UMIB-it, sfidat si dhe mundësitë e bashkëpunimit me universitetet italiane.
Prorektori Morina, i njoftoi studentët me programet studimore që ofrohen në UMIB, veçanërisht për ato teknike, të cilat paraqesin një mundësi unike për studentët kosovarë, por edhe për ata të rajonit. “Janë disa programe shumë atraktive, që na kanë mundësuar të bëhemi pjesë e projekteve të ndryshme ndërkombëtare sa i përket arsimit universitar”, tha ai.
Studentët janë interesuar për specifikat e UMIB-it, duke pasur parasysh rrethanat që kanë qenë pasluftës në Mitrovicë si dhe për aspekte të tjera që lidhen me punën universitare. Ata e kanë falënderuar prorektorin Morina për mikpritjen dhe janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga UMIB-i.